Shtyhet vendimi për të hetuarit e dosjes '184'

exit.al 8 Korrik 2021, 14:00

Gjykata e Antikorrupsion ka shtyrë vendimin për 2 nga 4 të akuzuarit e dosjes 184, e njohur si dosja e vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2016-ës në Dibër, për shkak të mungesës së avokatëve.

2 të akuzuarit Drini Gjeçi, ish-drejtor i arsimit, dhe Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.

Prokuroria i mbylli hetimet në dhjetor të 2020 dhe ngriti akuzë vetëm për 4 përrsona ndërsa për pjesën tjetër të të dyshuarve të përfshirë në këtë çështje është kërkuar pushimi i çështjes.

Konkretisht të pandehur janë:

  1. Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, i akuzuar për shpërdorim detyre;
  2. Drini Gjeçi, ish-drejtor i arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve;
  3. Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin, akuzuar për shpërdorim detyre
  4. Hasan Hoti, Njësia administrative Lurë, akuzuar për kanosje të zgjedhësve

Prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli, me argumentin se për këta persona është parashkruar vepra penale e shitblerjes së votave pasi kanë kaluar 3 vite.

Në shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda kaloi hetimet për “Dosjen 184” në prokurorinë e Dibrës. Ky kalim u bë në shkelje të ligjit.

Në janar 2020, SPAK konfirmoi vendimin dhe nuk pranoi të merrte çështjen për shqyrtim.

Megjithëse dosja 184 përfshin përgjime të ish-Ministrave Tahiri, Gjiknuri dhe deputetë socialistë në biseda me policë, biznesmenë dhe persona të dyshimtë të cilët angazhohen për të siguruar vota në mënyra të paligjshme për zgjedhjet në Dibër, – SPAK nuk pranoi ta shqyrtojë atë. (Kliko këtu për t’i dëgjuar përgjimet.)