Shtyhet me dy vjet regjistrimi i popullsisë, shkak pandemia e tërmeti

exit.al 12 Nëntor 2020, 11:06

Komisioni i Ekonomisë ka shtyrë për dy vjet ligjin për regjistrimin e popullsisë, i cili ishte parashikuar për tu mbajtur në vitin 2020. Drejtoresha e INSTAT-it Elsa Dhuli sqaroi të mërkurën, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, se ligji u shty për shkak të tërmetit dhe pandemisë. “INSTAT ka propozuar realizimin e censit të popullsisë dhe banesave në tetor të vitit 2022, punimet për realizimin e tij kanë nisur që në vitin 2018, dhe është parashikuar që nxjerrja e rezultateve të ndodhë në 2023,” u shpreh Dhuli. Sipas saj, censi i popullsisë do të kushtojë 16,5 milionë euro:

“Kostoja e censit do të jetë 16.5 milionë euro, 54 përqind do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë donatorët e tjerë janë: donatori kryesor është Komisioni Evropian, qeveria zvicerane dhe deri tani është ofruar edhe qeveria suedeze.”

Në rast se realizohet, ky do të jetë censi i 11-të për Shqipërinë që prej vitit 1923. Shpërndaje te miqtë