Shkozë, banorët përplasen me policinë, kundërshtojnë shembjen e banesave

exit.al 16 Tetor 2019, 10:22

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) nisi sot aksionin për të shembur pesa banesa në zonën e Shkozës, që preken nga projekti i Unazës së Re.

Në mbështetje të IMT-së kanë shkuar dhe forca të shumta policie që kanë rrethuar zonën.

Disa prej banorëve denoncuan se policia po ushtron dhunë psikologjike dhe fizike ndaj tyre.

Banorët kanë kundërshtuar prishjen e shtëpive dhe kanë tentuar të ndalojnë fadromat. Ata sqaruan se katër prej pesë banesave të planifikuara për tu prishur janë të legalizuara, ndërsa një banesë është në proces legalizimi.

Pronarët e shtëpisë në proces legalizimi thanë se ata kanë një vendim gjykatë që ndalon shembjen e ‘shtëpisë deri në momentin që të dalë një vendim gjykate përfundimtar’.

Megjithëse banorët i kanë kërkuar policisë dhe IMT-së vendimet që legjitimojnë prishjen e banesave, ata nuk kanë marrë përgjigje.