SHBA-të mbështesin projektin e Minishengenit Ballkanik

exit.al 1 Korrik 2021, 14:55

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin projektin e tregut të përbashkët rajonal, i emërtuar si Minishengeni Ballkanik.

"Shtetet e Bashkuara besojnë se përpjekjet e rajonit për të krijuar një treg të përbashkët rajonal, janë hapa normalë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Palmer.

Komenti u bë gjatë Forumit të Prespës, mbajtur të enjten në Ohër, nga Zëvendës-Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer.

Ai e quajti projektin një hap të natyrshëm drejt rrugës së integrimit, duke thënë se SHBA-të mbështesin bashkëpunimin rajonal.

Palmer shtoi se ishte i zhgënjyer që Bashkimi Evropian nuk hapi negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Jemi të zhgënjyer nga vendimi për të mos nisur negociatat, sepse këto shtyrje kanë penguar përparimin e synimeve tona në rajon, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë se kaq”," u shpreh Palmer gjatë fjalës së tij.

Vendime të tilla, sipas tij, ndikojnë në mungesën e besimit të vendeve të rajonit ndaj SHBA-ve dhe Bllokut, nga e cila përfitojnë rivalët e tyre gjeopolitik.

Palmer, po ashtu, bëri thirrje për liberalizim të vizave të Bashkimit Evropian me Kosovën.

"Është jetike që BE-ja të mbështesë rajonin dhe të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën," tha ai.

Palmer u kërkoi udhëheqësve të rajonit që të marrin hapa konkrete për të realizuar potencialin e vendeve të tyre, përmes reformave dhe luftës ndaj korrupsionit.