Rrëzimi i avionit ushtarak në Filipine shkakton 45 viktima

exit.al 4 Korrik 2021, 19:56

Numri i viktimave nga rrëzimi i avionit ushtarak në Filipine ka shkuar në 45.

Aksidenti ndodhi ndërsa aeroplani po përpiqej të ulej në ishullin Jolo në provincën Sulu.

Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare tha se 45 persona kanë humbur jetën, tre prej të cilëve civilë që ndodheshin në zonën ku u rrëzua avioni. Ndërkohë 53 janë plagosur, përfshi katër civilë. Pesë ushtarë janë ende të zhdukur.

Avioni transportonte ushtarë, pjesë e trupave që janë duke luftuar kundër militantëve islamikë të Abu Sayyaf dhe fraksione të tjera radikale.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se nuk kishte asnjë tregues të ndonjë sulmi në aeroplan, por hetimi i përplasjes nuk ka filluar pasi përpjekjet ishin përqendruar në shpëtimin dhe shërimin e personave në bord.