Rexhep Selimi vetëdeklarohet i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte

exit.al 11 Nëntor 2020, 11:55

Rexhep Selimi hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj tij për krime gjatë luftës së Kosovës, ngritur nga prokuroria speciale në Hagë. Pyetur nga gjyqtari, nëse dëshiron të deklarohet i pafajshëm, Selimi u shpreh:

“Kam pasur kohë të mjaftueshme që ta analizoj aktakuzën. Ndihem i pafajshëm për të gjitha pikat në akuzë.”

Për shkak të përdorimit të fjalës ‘ndihem’ gjyqtari i kërkoi Selimit të përdorë fjalë më të qartë, të përshtatshme për proceset gjyqësore. “Zakonisht deklaroj gjërat që ndjej, por meqë duhet për arsye proceduriale, po e përsëris: Unë deklarohem i pafajashëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh Selimi. Më herët Selimi foli dhe për luftën kundër Serbisë. Ai tha se është krenar që ka luftuar për lirinë e Kosovës dhe se as ai e as UÇK-ja nuk kanë lidhje me akuzat e rënda për krime gjatë luftës. Akuzat që rëndojnë mbi Selimin janë:
  • Përndjekje, krim kundër njerëzimit;
  • Burgosje, krim kundër njerëzimit;
  • Ndalim arbitrar, krim lufte;
  • Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit;
  • Trajtim mizor, krim lufte;
  • Torturë, krim kundër njerëzimit;
  • Torturë si krim lufte;
  • Vrasje, krim kundër njerëzimit;
  • Vrasje e paligjshme si krim lufte;
  • Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit.
Sipas prokurorisë, veprat e pretenduara janë kryer midis prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore. Seanca mund të ndiqet live këtu.   Shpërndaje te miqtë