Rëndohet situata COVID-19 në Brazil teksa numri i viktimave kalon 500 mijë

exit.al 20 Qershor 2021, 09:42

Mbi 500 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 në Brazil ndërsa vendi i frikësohet përkeqësimit të situatës nga vaksinimi i ngadaltë dhe fillimi i dimrit.

Brazili është shteti i dytë me më shumë viktima nga COVID-19 pas SHBA.

Vetëm 15% e të rriturve janë vaksinuar me 2 doza në Brazil.

Përhapja e COVID-19 në Brazil është ushqyer nga variante më të transmetueshme të virusit, duke përfshirë edhe atë të identifikuar së pari në rajonin e Amazonës dhe tani e njohur si Gamma. Një mesatare prej 70,000 rastesh janë konfirmuar çdo ditë në javën e fundit.

Rreth 80% e shtretërve të terapisë intensive janë në përdorim pothuajse në të gjithë vendin.

Mesatarja ditore shtatë ditore e vdekjeve në Brazil ka qenë mbi 1,500 që nga Marsi.

Të shtunën, mijëra njerëz protestuan në të gjithë vendin kundër qeverisë Bolsonaro dhe për të kërkuar përshpejtimin e programit të vaksinimit. Shumë qytete kanë luftuar me numër të pamjaftueshëm të dozave.

Bolsonaro është kritikuar rëndë për moszbatimin e një plani kombëtar të koordinuar kundër përhapjes së COVID-19 si dhe skepticizmin e tij ndaj vaksinave dhe masave antiCOVID, kryesisht detyrimin për mbajtjen e maskës.

Presidenti Bolsonaro ka kundërshtuar masat e bllokimit, duke thënë se ndikimi i tyre në ekonomi do të ishte më i keq se virusi.

Kongresi i Brazilit ka nisur një hetim ndaj presidentit për mënyrën se si ai ka trajtuar pandeminë.