Rama, masat kufizuese mbajtën të ulët numrin e vdekjeve nga Covid-19 në Shqipëri

exit.al 16 Prill 2020, 17:26

Kryeministri Edi Rama vlerësoi të enjten se masat kufizuese kanë mbajtur numrin e vdekjeve nga Covid-19 të ulët në Shqipëri dhe se për këtë gjë do të tregohet kujdes në lehtësimin e tyre. Kryeministri publikoi në Facebook një grafik të Our World in Data në të cilin vihej në krahasim numri i vdekjeve për 1 milionë banorë mes Shqipërisë, SHBA-ve, Italisë, Belgjikës dhe Spanjës.

“Vdekjet për 1 milionë banorë, tregojnë qartë se sa vendimtare kanë qenë shpejtësia, rreptësia dhe respektimi masivisht i masave në Shqipëri.

Të gjithë ekspertët kudo në botë, bëjnë thirrje për të mos e ulur vigjilencën dhe asnjë qeveri në botë, nuk ka një plan hapjeje pa shkallë, në varësi të kurbës!”

Sipas Our World in Data, Shqipëria ka 8.69 vdekje nga Covid-19 për 1 milionë banorë ndërsa Spanja 397, Belgjika 383, Italia 358 dhe SHBA-të 93. [caption id="attachment_80370" align="aligncenter" width="1920"]Harta ilustruese e vdekshmërisë nga Covid në Evropë Harta ilustruese e vdekshmërisë nga Covid në Evropë[/caption] Mirëpo krahasuar me vendet e rajonit, për këtë statistikë Shqipëria ka mesatare relativisht të lartë.
  1. Maqedonia e Veriut 21.6
  2. Serbia 14.55
  3. Bosnje Hercegovina 12.19
  4. Greqia 9.79
  5. Shqipëria 8.69
  6. Kroacia 8.28
  7. Mali i Zi 6.37
  8. Kosova 4.66
Kryeministri është treguar i ashpër dhe këmbëngulës në masat kufizuese.

“Ekonomia bie e ngrihet prapë, të vdekurit nuk ngjallen më, prandaj të gjithë duhet ta kenë të qartë që ne nuk do të tërhiqemi nën asnjë presion të padijes, mendjelehtësisë e vulgaritetit, të atyre që nuk duan të kuptojnë thelbin e kësaj situate dhe flasin për diktaturë e për lloj-lloj fantazish jashtë këtij realiteti krejt të pazakonshëm!”

Të enjten autoritetet shëndetësore në Shqipëri raportuan 24 persona të tjerë të infektuar me Covid-19 duke e çuar totalin në 518, prej tyre 26 kanë vdekur ndërsa 277 janë shëruar.