Rama akuzon Bashën për hetime ndaj UÇK-së: Dil sqaro qytetarët

exit.al 9 Nëntor 2020, 10:37

Kryeministri Edi Rama akuzoi, të hënën, kryetarin e PD-së Lulzim Basha se ka shërbyer si hetues i UÇK-së. Në një postim në Twitter Rama citon një artikull të organizatës Human Right Watch, ku shkruhet:

"Lulzim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë."

Rama i bën thirrje Bashës të sqarojë qytetarët për rolin e tij:

"Lulëzim nuk kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK! Dil sqaro popullin!"

Citimi i Ramës është marrë nga një artikull i Human Rights Watch botuar në maj 2008, me titull 'Kosova/Shqipëria: Investigojnë rrëmbimet pas lufte dhe transferimet e tyre në Shqipëri'. Në artikull, Fred Abrahams, një nga kërkuesit e HRW i kthen përgjigje deklaratave të Bashës se akuzat e Carla del Pontes për ‘shtëpinë e verdhë’ ishin ‘të sajuara nga disa njerëz që po përpiqeshin ta quanin të paligjshme luftën e drejtë të popullit të Kosovës ... dhe të njollosnin imazhin e Kosovës dhe të Shqipërisë’. Abrahams shkruan se:

"Ministri Basha duhe t'i marrë më seriozisht deklarata sepse ai e di nga eksperienca e tij që ka prova të besueshme për kalimet ndër kufitare. Ai ka punuar për gjykatën dhe Departamentin e Drejtësisë në UNMIK pas lufte".

Human Rights Watch ka bërë një hetim të pavarur mbi ekzistencën e një shtëpie të verdhë në ose pranë qytetit të Burrelit, ku bëhej trafik i organeve të personave të rrëmbyer. Organet më pas transportoheshin jashtë Shqipërisë përmes aeroportit të Rinasit.     Shpërndaje te miqtë