Protest para Ministrisë së Transporteve për aksidentin që vrau familjen Gushi

exit.al 25 Qershor 2021, 21:18

Një grup të rinjësh, të organizuar përmes rrjeteve sociale, u mbledhën të premten në mbrëmje para Ministrisë së Transporteve, në protestë për aksidentin  ku humbi jetën familja Gushi me 4 anëtar.

Sipas raporteve paraprake, aksidenti erdhi si pasojë e përplasjes me një makinë që ecte me shpejtësi shumë të lartë.

Protestuesit u shtrinë përtokë në shenjë sensibilizimi për rreziqet që kalosen nga drejtimi i makinës duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar.

"Në shenjë reagimi mbi aksidentet rrugore në vend, të mblidhemi tek këto dy vende dhe të shtrihemi në tokë "si të vdekur" duke dhënë një mesazh sensibilizues mbi ngjarjet e fundit. Është momenti për të reaguar," shkruhej në njoftimin e protestës.

Protestuesit gjithashtu ndezën qirinj në nderim të 4 viktimave fatkeqe.

Sipas policisë, aksidentet rrugore shkaktojnë 4 herë më shumë viktima se krimet në vend.

Sot në vend ndodhën dy aksidente rrugore, një në Fier Vlorë dhe një tjetër në Tiranë.