Tornado në Çeki lë 5 të vrarë dhe disa fshatra të shkatërruar

exit.al 25 Qershor 2021, 20:54

Një tornado që kaloi të enjten në mbrëmje nëpër disa fshatra të Republikës Çeke, la pesë persona të vrarë dhe plagosi rreth 150 të tjerë.

Stuhia shkuli çatitë e ndërtesave dhe pemët si dhe përmbysi makinat në zonat jug-lindore të Breclav dhe Hodonin.

Shkatërrimi i erërave të forta me shpejtësi 219 km/h i shndërroi zonat e prekura në zona lufte.

Qeveria raportoi rreth 1000 shtëpi të shkatërruara, ndërkohë që mungon energjia elektrike apo kushtet higjeno-sanitare. Autoritetet lokale po punojnë për të siguruar strehim për njerëzit e mbetur jashtë.

Në ndihmë të ekipeve vendase të shpëtimit kanë zbarkuar ato nga Austria dhe Sllovakia fqinje dhe vendi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Kryeministri Andrej Babis, i cili është në Bruksel për një samit të BE,  e përshkroi atë që kishte ndodhur si një apokalips, sipas një raportimi të BBC.

Ai kërkoi aktivizimin e fondit të emergjencave të Bashkimit Evropian për të përballuar situatën.