Mbyllen hetimet për kryebashkiakun e Matit Agron Malaj: Ka qenë i dënuar për vepër penale

exit.al 9 Qershor 2020, 10:14

Kryebashkiaku i Matit Agron Malaj, ish-gardisti i 21 janarit, ka qenë i dënuar më parë me vendim të formës së prerë për një vepër penale dhe për këtë ai nuk mund të mbaj postin publik.

Sipas raportit siguruar nga ABC News, Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet dhe ka gjetur se Malaj ka qenë dënuar me 10 muaj burg për 'armëmbajtje pa leje' në vitin 1999 nga gjykata e Matit.

Po ashtu ai është hetuar për vrasjet e 21 janarit, por në prill 2011, prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve.

Sipas hetimeve, të gjitha këto detaje janë bërë publike dhe nga vetë Malaj në formularin e vetëdeklarimit, por KQZ nuk e ka ndaluar atë nga kandidimi.

Lidhur me dyshimet për ndryshimin e emrit, prokuroria shkruan se Malaj nuk e ka ndryshuar ndonjëherë emrin.

Ndërsa për pretendimin e PD-së për heqje të mandatit të kryebashkiakut ndaj Malajt, prokuroria shkruan se duhet të shprehet departamenti i dekriminalizimit me kërkesë të KQZ-së.

Hetimet për Malajn janë bërë nga prokurori Sokol Stojani.

Përfundimet e hetimit i janë përcjellë Departamentit të Administratës Publike për të vendosur nëse gjetjet e hetimeve e ndalojnë Malajn të mbajë postin e kryebashkiakut.

Në janar 2020, Partia Demokratike i kërkoi prokurorisë verifikimin e të shkuarës së kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, pasi kishte dyshime se ai është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe se ndodhet në  kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe qenë kryebashkiak.

PD bëri publik edhe vendimin e gjykatës sipas së cilit Malaj është dënuar në vitin 1999 me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe për këtë, i ndalohet kandidimi përjetë për një funksion publik.

Agron Malaj u zgjodh kryebashkiak i Matit në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ku mori pjesë vetëm Partia Socialiste.