PDK kërkon bashkëpunim me LVV për rrëzimin e qeverisë Hoti

exit.al 17 Dhjetor 2020, 15:58

Kryetari në detyrë i Parisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i bëri thirrje të enjten Lëvizjes Vetëvendosje për të bashkëpunuar për rrëzimin e qeverisë Hoti.

 Hoxhaj deklaroi për mediat se, LVV duhet t’i bëjë PDK-së ftesë nëse janë pro rrëzimit të qeverisë.

“Vetëvendosja nëse është e interesuar që t’i japë fund kësaj qeverie, duhet të na bëj ftesë serioze, ata e kanë nisur mocionin, le të bëjnë ftesë dhe takohemi. Po ta kishte nisur PDK mocionin do ta kishte ftuar Vetëvendosjen, qëndrimi ynë është i kristaltë”, tha ai.

Ai foli edhe për zgjehdjen e presidentit të Kosovës, ku theksoi se ai duhet të jetë nga radhët e PDK-së.

“Qasja jonë është e qartë, ne duam që vendi të mos mbetet pa kreun shtetëror, që Kosova të ketë president, dhe jemi të gatshëm të japim votat tona, por presidenti duhet të zgjidhet nga Partia Demokratike e Kosovës”, tha Hoxhaj për gazetarët.

Shpërndaje te miqtë