Organizata në Kosovë kërkon të diskutohen reparacionet e luftës në dialogun me Serbinë

exit.al 17 Dhjetor 2020, 15:35

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, kërkoi që në dialogun Kosovë-Serbi të diskutohet çështja e reparacioneve të luftës.

Ai tha të enjten në një diskutim të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, se do të ishte veprim i duhur nga pala kosovare që në tryezë të bisedimeve të shtrohej kjo temë.

“Pretendimet financiare dhe pronësore në dialogun Kosovë-Serbi” ishte tema e diskutimit.

Blakaj tha se të gjitha familjet e viktimave kosovare “kanë të drejtë të kërkojnë reparacione nga autoritetet serbe”.

Ai shtoi se të njëjtën të drejtë e kanë edhe familjarët e të vrarëve nga komuniteti serb.

“Fondi për të Drejtë Humanitare me seli në Beograd dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kanë evidentuar 13 mijë e 535 njerëz të vrarë apo të zhdukur gjatë periudhës 1 janar të vitit 1998, 31 dhjetor të vitit 2000”, tha ai.

Shpërndaje te miqtë