PD i kërkon SPAK të hetojë Armela Imerajn

exit.al 8 Korrik 2021, 11:45

Partia Demokratike e quajti emërimin e Armela Imerajt në krye të Autoritetit të Medias Audiovizive “një kërcënim serioz për lirinë dhe pavarësinë e medias”.

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, i kërkoi SPAK të nisë hetimet për padinë e kryer nga PD kundrejt Imerajt për “shpërdorim detyre”, gjatë fushatë zgjedhore.

SPAK-u “të nxjerrë dosjen nga sirtari, ku qëndron prej gati 4 muajsh, dhe ta hetojë militanten e Edi Ramës! Ky do të jetë një kontribut real jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për lirinë e medias”, u shpreh Vokshi në një deklaratë për median, të enjten.

Ajo theksoi se votimi i Imerajt duke injoruar thirrjet e partnerëve ndërkombëtarë për shtyrje të votimit, tregoi se prioriteti kryesor I Ramës “nuk është integrimi europian, por pushteti personal”.

“Qeveria e di mirë se pa përmbushjen e standardeve demokratike, nisja e bisedimeve për anëtarësim mbetet thjesht një akt formal”, përfundoi Vokshi.

Armela Imeraj u zgjodh të mërkurën drejtuese e AMA-s.