PD eleminon nga gara për KQZ-në ish-ministrin e saj, i hap rrugën ish-ministrit të Ramës

exit.al 2 Tetor 2020, 19:22

Partia Socialiste ka propozuar tre kandidatë për kryekomisioner të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: Bledar Skënderin, Ilirjan Celibashin dhe Ilir Rusmajlin, ish-ministër në qeverinë e Partisë Demokratike.

Por kandidatura e Rusmajlit është skualifikuar nga Partia Demokratike, e cila në këtë proces ka të drejtë të largojë një kandidat nga gara.

Të dy figurat e mbetura në garë janë politike.

Bledar Skënderi ka qenë dhe më parë anëtar i KQZ-së deri në verën e 2020-ës, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Më herët ai ka qenë dhe zëvendësdrejtor i Burgjeve.

Ndërsa Ilirjan Celibashi ka drejtuar KQZ në periudhën 2001-2006.

Në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2013, Celibashi u zgjodh deputet i PS-së dhe më pas u emërua ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Tashmë kuvendi do të zgjedhë mes këtyre dy kandidaturave për drejtuesin e ri të KQZ-së për 7 vite.

Ndërsa për zëvendërkomisioner, Partia Demokratike ka propozuar Lealba Pelinkun, Agron Haxhimalin dhe Hysen Osmanajn.

Zonja Pelinku ka qenë drejtuese e Departamentit të Antikorrupsionit në Partinë Demokratike.

Agron Haxhimali ka qenë drejtues i Shoqatës së Bashkive.

Ndërsa Hysen Osmanaj ka qenë anëtar i KQZ që prej vitit 2009. Në vitin 2015 ai u bë zëvendëskryetar i KQZ-së.

Pritet që shumica socialiste të eleminojë një kandidaturë.

 

 

Shpërndaje te miqtë