PD, Bardh Spahia thirrje SPAK të hetojë institucionet shtetërore për numrat e vdekjeve kovid

exit.al 21 Nëntor 2020, 13:20

Partia Demokratike i ka kërkuar prokurorisë të hetojë fshehjen e numrave të vdekjeve nga institucionet shtetërore.

PD, përmes Bardh Spahisë tha se “heshtja 48 orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën”.

“Numri i vdekjeve nga COVID, sipas dokumentacionit që bëri publik z. Basha është shumë më i lartë se ai i bërë publik nga qeveria në komunikatat e përditshme.

Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet”, tha Spahia.

Sipas Spahisë “qytetarët presin nga prokuroria të mos heshtë”. Ai i bëri thirrje SPAK të hetojë përparase të fshihen provat.

“Është e turpshme përpjekja e Edi Ramës për t’ju shmangur përgjegjësisë për dështimin katastrofik me pandeminë”, përfundoi Spahia.

Shpërndaje te miqtë