PD akuzon Ramën e Veliajn: Po i japin 100 milionë euro shtesë inceneratorit të Sharrës

exit.al 11 Qershor 2020, 13:28

Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj se po i japin inceneratorit të Sharrës 100 milionë euro shtesë për plehrat e Durrësit. Përmes një deklarate për shtyp, nënkryetari Edi Paloka e cilësoi dyshen Rama-Veliaj si  “mafian e plehrave” e fshehur pas një kompanie fantazmë, e regjistruar në parajsë fiskale:

“Me këmbënguljen e Edi Ramës, shteti shqiptar do t’i kalojë 100 milionë euro për plehrat e Durrësit, kur fare mirë, mund të kishte ndërtuar një landfill modern që zgjidhte problemet mjedisore dhe të pastrimit të qytetit që përballon fluksin më të madh turistrik në vend. 

Me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, shqiptarët do t’u paguajnë 3 inceneratorëve, të Tiranës, Elasanit dhe të Fierit, 500 milionë euro, gati aq sa mori borxh dje kreu i mafias së plehrave.”

Paloka tha se ‘mafia e plehrave’  kishte llogaritur me saktësi skenarin për të çuar 100 milionë euro para publike në xhepat e Edi Ramës, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt dhe Taulant Ballës:
  1. Në kulmin e pandemisë, mbyllën venddepozitimin e mbetjeve në Porto Romano, përmes një tenderi të paracaktuar nga Edi Rama.
  2. Më pas, shpërndanë në disa vende të dukshme mbetjet e Durrësit.
  3. Pastaj, mafia e la Durrësin pa pastruar, në mënyrë që qytetarët të mërziten dhe të mos interesohen për aferën korruptive 100 milionë euro për largimin e plehrave nga qyteti.
  4. Dhe në fund, i dogjën plehrat publkisht, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore në Manzë, në një zonë që merr vëmendjen si nga Tirana, ashtu edhe nga Durrësi.
  Shpërndaje te miqtë