PD akuzon Ballën për €3,4 milionë në 'Toyota Yaris': Herët a vonë do përballesh me drejtësinë

exit.al 16 Nëntor 2020, 13:23

Partia Demokratike ka akuzuar kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, se ka ndërhyrë për të pushuar çështjen ndaj katër prej gjashtë të akuzuarve për transportin e 3,4 milionë eurove në dy makina ‘Toyota Yaris’ në portin e Durrësit, më 24 qershor 2018. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një postim në Facebook shkruan se:

“Gjyqtarët e Taulantit mund të pushojnë hetimet, por nuk do munden kurrë të ndalojnë zbardhjen e të vërtetës. Herët apo vonë, mbështetesit dhe sponsorizuesit e pastrimit të parave të krimit do të përballen me drejtësinë.”

Mesditën e së hënës, gjykata e Tiranës ka pushuar akuzat për katër prej gjashtë të akuzuarve: Alfred Vladin, Edi Likën, Klevi Canin dhe Alban Mollaymerin. Të vetmit ndaj të cilave gjykata ka lënë akuzat janë: Ervis Vladi që akuzohet për ‘mosdeklarim parash në kufi’ dhe Agim Çeka që akuzohet për ‘armëmbajtje pa leje’. Kjo çështje i kaloi Gjykatës së Tiranës, pasi Krimet e rënda pasi prokuroria hodhi poshtë akuzat për grup të strukturuar kriminal. Mbrëmjen e 24 qershorit 2018, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit. Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompania shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri. Për më shumë në lidhje me këtë çështje lexo këtu. Shpërndaje te miqtë