Vjosa Osmani vendos, zgjedhjet në Kosovë më 14 shkurt

exit.al 6 Janar 2021, 23:00

Kosova do të shkojë në zgjedhje më 14 shkurt, sipas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani.

Presidentja po ashtu ka nxjerrë Dekret për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Kosova po mban zgjedhje të parakohshme pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që qeveria aktuale nuk është votuar në mënyrë kushtetuese pasi vota e një deputeti nuk është e ligjshme.

Kushtetuesja ka konstatuar që vota e deputetit, Etem Arifi, pro krijimit të Qeverisë Hoti, ka qenë e pavlefshme.

Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.

Etem Arifi, është i dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se një vit burgim. Arifi ishte dënuar për veprën penale “mashtrim me subvencione”

Këto janë zgjedhjet e dyta që mbahen në Kosovë në më pak se një vit.

Shpërndaje te miqtë