Vaksinat që po përdorën në luftën kundër pandemisë janë në gjendje të mbrojnë nga të gjitha variantet e virusit COVID-19 që qarkullojnë, deklaroi të enjten kreu i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
"Të gjitha variantet e virusit COVID-19 që janë shfaqur deri më tani i përgjigjen vaksinave të miratuara në dispozicion," tha ai një konferencë për media.
Kluge paralajmëroi autoritetet shëndetësore të qëndrojnë vigjilente ndaj variantit indian, i cili ka intensitet të lartë përhapje, duke u kthyer në shqetësim për vendet që duan të lehtësojnë masat.
Qysh kur u identifikua për herë të parë në Indi, varianti B.1.617 është identifikuar në të paktën 26 vende evropiane, sipas OBSH-së.
"Jemi akoma duke mësuar për variantin e ri, por ai është në gjendje të përhapet me shpejtësi", u shpreh ai.
Kluge shtoi se nëse vazhdon të përhapet me të njëjtën shpejtësi varianti indian do të zëvendësojë variantin britanik, i cili mbizotëron në Evropë prej vitit të kaluar.
"Po shkojmë në drejtimin e duhur, por duhet të jemi vigjilent. Në disa vende, ka xhepa të transmetimit në rritje që mund të evoluojnë shpejt në valë të rrezikshme ... Pandemia nuk ka mbaruar ende," përfundoi kreu evropian i OBSH-së.
