OBSH: Problem që shtetet e varfra ende nuk po marrin vaksinat

exit.al 8 Janar 2021, 21:20

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të premten se shtetet e varfra ende nuk kanë marrë vaksinat kundër Covid-19 dhe se ky është 'një problem i qartë'. Ghebreyesus u shpreh se shumicën e vaksinave e kanë marrë shtetet e pasura. Deri më tani, shtetet më të pasura, përfshirë Britaninë, anëtarët e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara, Zvicra dhe Izraeli kanë qenë në radhë të parë për dërgesat e vaksinave nga kompanitë, duke përfshirë Pfizer dhe partnerin BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca. Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, ai u kërkoi qeverive të vendeve dhe prodhuesve të ndalonin bërjen e marrëveshjeve dypalëshe. OBSH-ja tha në fillim të kësaj jave, se struktura e COVAX-it kishte mbledhur 6 miliardë dollarë nga 7 miliardë dollarë që ajo ka kërkuar në 2021. Rreth 88 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus dhe rreth 1.9 milionë kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19. Infektimet janë raportuar në më shumë se 210 shtete dhe territore. Rastet kanë ardhur në rritje në shumë vende javët e fundit. Kreu i OBSH  tha se njerëzit duhej të respektojnë kufizimet dhe rregullat e distancës sociale për të frenuar Covid-19:

"Virusi po përhapet me ritme alarmante në disa vende. Problemi është se mosrespektimi po bëhet një zakon. Mosrespektimi i jep virusit mundësi të përhapet."

Shpërndaje te miqtë