Falë mobilizimit maksimal, ndërhyrja e strukturave të emergjencës ka qenë e menjëhershme, siç e dëshmojnë edhe vetë banorët, çka ka bërë që situata të jetë nën monitorim dhe kontroll minutë pas minute. “Ndihma e strukturave të shtetit ishte menjëherë sapo lajmëruam,” i thanë banorët Kryeministrit.
“Strukturat e shtetit janë në rregull, kanë punuar, s’kemi ç’themi” u shpreh një banor i Katundit të ri të Sukthit.
Kryeministri Rama u ndal edhe në Shijak, aty ku shtëpitë janë ende nën pushtetin e ujit në zonën e njohur si ish liqeni i këtij qyteti. Vetë banorët tregojnë:
“Kjo ka qenë liqen përpara. Dikur ka qenë edhe fushë sporti e Shijakut, pastaj u bë liqen, por ka 30 vjet që nuk ka funksionuar si liqen,” shprehet një banor. Ndërsa një i moshuar thotë se e priste këtë që ndodhi, pasi defekti ka ardhur vit pas viti, që në fillim të pluralizmit. “Unë ua kam thënë atyre të tjerëve sa herë se do na merrni në qafë. A bëhet shteti me sustë? E kam përjetuar këtë dhe kam pas thënë se mjerë çdo na gjejë ne, se duke ardhur, duke u shkatërruar vit pas viti.”
