"Arsyeja pse jam me Partinë Socialiste është, sepse duke qënë se jemi më të mirët, do të jemi gjithmonë me më të mirët,” – thotë një studente, si për të treguar që “ekselencës” i mungon çdo lloj modestie apo përunjësie, përveç asaj para partisë.
“Vendosa të bëhem pjesë e Partisë Socialiste, pasi njohuritë e mia dua t’i vë në zbatim konkretisht,” – thotë një tjetër studente, që duket se ngatërron politikën me prodhimin.
“Më pëlqejnë punët në grup,” – thotë një student, si për të treguar që ose nuk e ka idenë së çfarë e pret në politikë, ose di të shtiret që në moshë të re.
“...idetë novative, idetë që janë vërtetë aktive, ndaj jam këtu ku jam,” – shton një “ekselente”, si për të treguar që “ekselentët” nuk është e thënë ta kenë idenë se ç’janë idetë.
“Një politikan i zoti zhvillohet vetëm në Partinë Socialiste,” – thotë një student, si për të treguar që ai mund ta ketë mëndjen e mbyllur, por adhurimin për partinë e ka të pafund.
“E ndjej që në Partinë Socialiste është vendi i duhur dhe ku neve mund të shprehim idetë dhe është fryma e duhur së cilës mund t’i bashkangjiten të rinjtë shqiptarë,” – thotë një “ekselente”, që na bën të mendojmë se e reja në këtë vend i ngjan një mish-mashi klishesh të vjetra.
“U anëtarësova në Partinë Socialiste sepse ajo punon fort me idealin dhe ka idealet që unë dua të ndjek,” – thotë një studente, që duket sikur na thotë se “ekselenca” mund të mos e dijë se ç'janë idealet.
“Vendosa të marr pjesë në Partinë Socialiste për të hyrë në pjesën politike të vendit,” – thotë një "ekselent", më në fund, i sinqertë.
“Zgjedh Partinë Socialiste sepse është një mundësi për të shfrytëzuar, për të nxjerrë në pah aftësitë tona,” – thotë studentja tjetër si për të treguar që edhe “ekselenca” nuk ka kuptim po mos u duk.
“Mendoj se ndryshimi fillon nga unë dhe për këtë ndryshim është pikërisht Partia Socialiste,” – thotë në mbyllje një studente, si për të treguar që “ekselenca” ndonjëhere flet turbullt e arsyeton edhe më turbullt.
Por më e turbullt duket e ardhmja e Shqipërisë.
