FMN e pakënaqur me transparencën e qeverisë, sidomos për konçensionet

exit.al 17 Janar 2016, 13:12

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi dje një raport vlerësues për transparencën fiskale të qeverisë shqiptare.

Konkluzionet kryesore të raportit janë:

  • Shqipëria nuk ka përmbushur 8 nga 36 kriteret e FMN-së për transparencën fiskale. 14 kritere të tjera janë realizuar në nivelin minimal. Vetëm 10 kritere janë përmbushur në nivel të mirë apo të avancuar.

  • Qeveria ofron pak informacion për investimet publiko-private dhe konçensionet që jep.

  • Qeveria ofron pak informacion në lidhje me prodhimin e përgjithshëm të vendit.

  • Problem i rëndësishëm mbetet kompensimi i pronave të shpronësuara nga regjimi komunist, vlera e të cilave arrin në rreth 70 për qind të prodhimit vjetor të vendit.

  • Problem tjetër serioz vazhdon të jetë përqindja e lartë e kredive me probleme, të cilat përbëjnë rreth 23 për qind të totalit të huave të dhëna nga sektori bankar.

FMN ka bërë një sërë rekomandimesh për qeverinë, ndër të tjera:

  • Të përmirësojë transparencën e projekteve të investimeve publike, duke bërë analiza kosto-përfitimi dhe duke publikuar vlerën e përgjithshme të të gjithë projekteve, përfshi partneritetet publiko-private;

  • Të mbikqyrë më mirë kompanitë publike dhe rreziqet fiskale që ata mund të sjellin;

  • Të hartojë dhe publikojë një raport vjetor për të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit si pasojë e privilegjeve dhe përjashtimeve tatimore.