Naftëtarët në protestë: Gratë në grevë po sakrifikojnë për fëmijët tanë

exit.al 26 Tetor 2020, 11:23

Dhjetra naftëtarë që nuk janë në grevë urie, kanë protestuar të hënën në sheshin përpara uzinës, në mbështetje të 10 grave në grevë urie prej 12 ditësh.

Naftëtarët i bënë thirrje kryeministrit Rama që të shkojë në Ballsh t’i takojë dhe të gjejë një zgjidhje për problemin e naftëtarëve: marrjen e 13 pagave të prapambetura, të fituara me gjyq dhe rinisjen e punë në rafineri.

“Kryeministri të vijë e të japë një zgjidhje sa më shpejt. Sot në ditën e 12-të të grevës heshtje totale nga kryeministri dhe nga të gjitha institucionet e shtetit shqiptar. Ne jemi shqiptare, ndaj kryeministri nuk duhet të na shohë në pozicionin e armikut,” u shpreh një prej protestuesve.

“Këto gra i tregojnë ministres dhe avokates së popullit, se çfarë mund të bëjë një nënë për fëmijët e saj,” vazhdoi më tej ai.

“Edi Rama të reagojë dhe t’i jepet zgjidhje situatës. Nuk dalim nga greva pa marrë atë që na takon,” u shpreh një tjetër naftëtar.

Në ditën e 12 të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e 10 naftëtareve është rënduar, por ato këmbëngulin për vazhdimin e saj. Qindra naftëtarë të tjerë nga jashtë vazhdojnë mbështetjen përmes protestave.

Shpërndaje te miqtë