Ministri Cani konfirmon atë që nuk besohej: mbledhja e TVSH-së mund të jepet me konçension

exit.al 20 Janar 2016, 13:15

Disa media kanë raportuar sot se, në një takim informal me gazetarët, Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka deklaruar se qeveria ka vendosur që mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) ta japë me konçension tek operatorë privatë.

Për këtë qëllim, qeveria po përgatit proçedurat për hapjen e një tenderi ndërkombëtar për zgjedhjen e kompanisë konçensionare.

Kjo qasje e re e qeverisë, ka kohë që përflitet, por shumë ekspertë e konsideruan politikë të pamundur.

Ky informacion ngre dyshime të reja për motivimin dhe transparencën e kësaj politike nisur nga fakti që deri tani dihet që:

  • qeveria ka marrë një propozim të pakërkuar nga një kompani e panjohur nga Hong Kongu, MPOS, për një konçesion të mbledhjes së TVSH-së;

  • për shqyrtimin e kësaj kërkese, Ministria e Financave, që në fund të vitit 2014, ka ngritur një grup pune;

  • grupi i punës së Ministrisë së Financave, pas shqyrtimit të parë, e ka refuzuar kërkesën me argumentin se mbledhja e TVSH-së është e drejta kushtetuese e qeverisë.

Nuk dihet se deklarata e Ministrit Çani është konfirmim indirekt se Ministria e Financave ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj kërkesës së pakërkuar të kompanisë kineze.