Ministri Shalsi: Ende jo publike lista e bizneseve që do hapen, lista e e-Albanias e pasaktë

exit.al 18 Prill 2020, 13:47

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi sqaroi mesditën e 18 prillit se qeveria ende nuk e ka publikuar listën e bizneseve që do të lejohet të hapen më 20 prill.

Lista që është bërë sot publike në portalin e-Albania është e njëjta listë që është hartuar më herët nga Ministria Shëndetësisë dhe jo lista e përditësuar, sqaroi Shalsi.

Por publikimi i saj sot, kur pritej të publikohej lista e re e premtuar nga kryeministri Rama, duket se ka lënë vend për keqkuptim nga media dhe qytetarët.

Zoti Shalsi tha se lista e re pritet të publikohet në orët në vazhdim, pasi ekspertët ende po punojnë për të identifikuar ato kategori biznesesh të cilat mund të hapen pa vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Bizneset që do të lejohen të hapen duhet të marrin masa për të respektuar të gjithë distancat e nevojshme mes punonjësve dhe për të krijuar kushtet e duhura higjienike,me qëllim mos vënien në rrezik të jetës së punëtorëve.