Meta dhe UKT përplasen për mungesën e higjenës në ujin e pijshëm

exit.al 25 Maj 2021, 19:50

Ujësjellës Kanalizime Tiranë ju përgjigj deklaratës së Presidentit Ilir Meta për publikimet në media se uji I pijshëm në Tiranë nuk plotëson kushtet higjeno-sanitare. “Që nga ajo kohë, (referuar një vendimi të Gjykatës Tiranë të vitit 2017) UKT ka pësuar një ndryshim rrënjësor. UKT siguron qytetarët e Tiranës se zbaton standartin kombëtar të cilësisë së ujit të pijshëm. Uji i pijshëm monitorohet çdo ditë nga Operatori i Sherbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili është organi që kontrollon dhe monitoron cilësinë e ujit të pijshëm”, reagoi UKT për median. Më herët Meta përmes një postimi në Facebook, i bëri thirrje prokurorisë të hetojë përgjegjësinë dhe shkeljen e ligjit të kryer nga UKT:

“Të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqyteti”.

Exit News gjeti se sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit për vitin 2020, UKT nuk ka përmbushur kushtet higjeno-sanitare. Ajo nuk ka marrë licensën e higjenës nga ERRU.