Meta dënon dhunimin e të moshuarës nga policia bashkiake

exit.al 13 Korrik 2021, 17:09

Presidenti Ilir Meta dënoi dhunën e ushtruar nga policia bashkiake ndaj një shitseje ambulante të moshuar, duke e quajtur "joprofesionale, shproporcionale, të dhunshme dhe të dënueshme ligjërisht."

Meta i bëri thirrje Bashkisë Tiranë që, sipas tij, "ka dhënë, edhe në të kaluarën e afërt, shembullin më të keq të marrëdhënies së pushtetit vendor me qytetarët" të respektojë ligjin dhe të drejtat e njeriut.

Ai shtoi se autorët e rasteve të përsëritura të abuzimit duhet të përballen me drejtësinë.

"Urdhëruesit dhe autorët e këtyre akteve arbitrare, që po kthehen në një fenomen të përsëritur dhe thellësisht shqetësues për banorët e kryeqytetit, meritojnë të marrin përgjigjen e menjëhershme nga drejtësia!," përfundoi Meta deklaratën në rrjetin Facebook.