Manastirliu qytetarëve: Maska, mjeti efikas që mund të ndalë një mbyllje të dytë të vendit

exit.al 20 Tetor 2020, 11:03

Ministja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi, të martën, se mbajta e maskës nga qytetarët është ‘mjeti më efikas’  për të luftuar kundër Covid-19. Në një dalje publike me task-forcën anti-Covid, Manastiruliu tha:

“Maska është mjeti më efikas dhe ka sjellë në ato vende ku është vendosur në vazhdimësi, ulje të numrit të të infektuarve, shoqëruar me distancimin social dhe masat e higjienës personale.”

Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të ndërgjegjësohen për vendosjen e maskave sepse qeveria nuk e do një mbyllje të dytë totale dhe po mundohet ta shmangë atë. Ajo theksoi se duhet shmangur me çdo kusht kolapsi i sistemit mjekësor, pasi sot mjekët janë të lodhur dhe po vazhdojnë të bëjnë sakrifica të përditshme. Ministrja tha se po merr masa për kapacitetet e nevojshme për të përballuar sezonin e vjeshtë-dimrit, kur pritet të ketë rritje të të infektuarve dhe atyre që kanë nevojë për shtrim në spital:

“Dy strukturat e tjera [spitalet Covid 3 dhe4] janë të përgatitura për të ofruar shërbim nëse dy spitalet e para tejkalojnë kapacitetet.

Në të tre skenarët përfshijmë dhe spitalet rajonale në strategjinë tonë, që të ofrojmë më shumë shërbim për të infektuarit në rrethe.”

Shpërndaje te miqtë