"Takimi kaloi parashikimet në kuptimin e kohës dhe nga ana tjetër mund të them që kaloi parashikimet edhe në kuptimin e atmosferës shumë miqësore ku dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, përpjekjet tona dhe sigurisht ndamë së bashku bindjen se ky është një partneritet që duhet të forcohet dhe se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon gjë për të cilën morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh.
Dinamika jonë e re e politikës së jashtme ka sjellë një rritje shumë të ndjeshme të reputacionit të vendit tonë edhe në sytë e vetë partnerëve tanë. Dhe sot ky është një fakt i pohuar dhe në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti [Obama] u interesua me shumë dëshirë dhe entuziazëm lidhur me idenë e futjes në shkolla të mundësisë për të njohur fenë dhe për t’u dhënë të rinjve instrumentin e domosdoshëm që të mos bien pre e propagandës ekstremiste të çfarëdo lloji qoftë. Qoftë të radikalizmit islam që flet ne emër të Kuranit por është shkelja më e rëndë për Kuranin, qoftë edhe të ekstremizmit politik edhe në demokracitë e zhvilluara."
Shpërndaje te miqtë
