KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Tiranës Karanxha

exit.al 7 Korrik 2021, 09:58

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shkarkoi nga detyra prokurorin e Tiranës Ervin Karanxha për mungesë burimesh të ligjshme financiare, të mërkuren.

Prokurori Karanxha kallëzoi në SPAK drejtorin e televizionit Top-Channel, Ben Blushi dhe anëtaren e KPK-së, Valbona Sanxhaktarin për shantazh për shkak ushtrimit të detyrës dhe për shkak se motra e tij, Anila Karanxha, në cilësinë e gjyqëtares kishte rrëzuar pretendimet e televizionit në një çështje civile.

Po ashtu, sipas Prokurorit, administratori i Top Channel, Ben Blushi përdori ndikimin e tij për ta përjashtuar nga sistemi i drejtësisë.

“Eshtë krijuar kjo bindje pasi asnjë televizion ose media kombetare nuk mund të prodhojë lajme dhe kronika ne edicionin qendror te lajmeve për shkarkimin e një prokurori, pa u publikuar raporti përfundimtar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit,” shkruhet në padi.

Ai pretendoi se anëtarja e KPK-së, Valbona Sanxhaktari, i ka furnizuar Top Channel-it informacione konfidenciale të procesit të vettingut, para se ai vetë të vihej në dijeni.

Ervin Karanxha është bashkëshorti i ish-gjykatëses Bernina Kondi, e cila u shkarkua disa muaj më parë sepse edhe ajo kishte probleme me pasurinë.