JaMystic ju propozon sot një recetë tradicionale: Larash me qepë të njoma

exit.al 1 Qershor 2020, 08:46

Pak pushim nga ushëtimet. Kthehemi në Shqipëri me një  recetë tradicionale: Larash me qepë të njoma.

Pak histori:

Janë në perfundimin e tyre qepët e njoma, por kjo recetë mund të  bëhet me presh apo me lakra të egra. Pjesa jeshile e qepëve përmban vlera të ndryshme nga pjesa e bardhë e zhardhokut, prandaj është shumë e rëndësishme të konsumohen të dyja.

Tradicionale në treva të ndryshme, ky gatim ndryshon emërtimin sipas zonës.

Në zonën tonë quhet larash per faktin se mielli i misrit përzihet me mbushjen dhe formon njolla apo lara në siperfaqe.

Për 4 persona nevojiten:

  • ½ kg qepë të njoma.
  • 1 vezë
  •  erëza,mente,kopër
  • 1 gotē kos
  • 3 lugë gjelle djath të bardhë të thërrmuar
  • 3 gota miell misri
  •  1 gotë miell gruri
  •  1 gotë qumësht.
  •  1 fixhan kafeje vaj ulliri

Presim qepët hollë ,pjesën jeshije si dhe pjesën e bardhë dhe i fërgojmë në një tenxhere me vaj. I fërgojmë duke i trazuar vazhdimisht.

Pasi reduktohet volumi i tyre dhe kanë filluar të squllen i hedhim një dorë miell dhe gotën me qumësht,kripë dhe i lëmë të  ziejnë pak. E heqim nga zjarri dhe i shtojmë vezën dhe e trazojmë përsëri.

Ndezim furren në 250 gradë.

Tek kjo tenxhere ku kemi gjellën hedhim,vajin, kosin,djathin dhe duke trazuar hedhim gotën e parë të  miellit të misrit, të dytën miellin e grurit dhe vazhojmë me miell misri deri sa masa të trashet por të mos jetë e vështirë për t'u trazuar.

Lyejme tepsinë me vaj dhe shtrojmë masën duke e sheshuar me dorën pak të lagur. I hedhim pak vaj persipër duke e përhapur përseri me dorë dhe e fusim në furrë në 250 gradë.

Jamystic ju këshillon:

Masa e miellit varet nga masa e gjelles se berë kështu që miellin hidheni gradualisht deri sa masa të trashet por jo aq sa të  veshtiresojë trazimin me lugë.

Erëzat janë një element shumë i rëndësishëm. Unë  përdor edhe cumin edhe curry në gjellën me qepë. Në preferencën time larashi shoqërohet shumë mirë me një salcë kosi të përzier me koper.