Hajdari kërkon mbledhjen e Këshillit Politik

exit.al 25 Tetor 2020, 14:59

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari kërkoi mbledhjen e Këshillit Politik, të martën, 27 tetor, ora 11:00. Në një njoftim për median, të dielën, Hajdari tha se partitë politike duhet të përfitojnë nga fakti që Presidenti e ka kthyer Kodin e ri Zgjedhor për të bërë ndryshime të reja me dakordësinë e të gjitha palëve. Ajo kërkoi të diskutohet për ndryshimin e “formulës së përzgjedhjes së deputetëve, votës qytetare e jo preferencës së kryetarëve”.

“Kjo është një mundësi e mirë për tu riulur edhe njëherë në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar se si mund të arrijmë një produkt i cili të gëzojë jo vetëm mbështetjen e një pale, sic është rasti aktual, por mbi të gjitha mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Hajdari.

Hajdari i bëri thirrje partive politike të tregojnë se kanë “në fokus qytetarët e jo interesat e ngushta personale. Do të tregonte se ju intereson më shumë Shqipëria e jo partia”. Shpërndaje te miqtë