Gjermania jep €1 miliardë në shenjë ndjese për masakrën e kryer në Namibi

exit.al 29 Maj 2021, 10:35

Gjermania njohu zyrtarisht si gjenocid masakrën e kryer në fillim 1900 në Namibinë e sotme. Qeveria gjermane kërkoi falje për ngjarjen, të premten.

Kjo është hera e parë që Gjermania i pranon vrasjet masive si gjenocid. Vendimi erdhi gjashtë vjet  pas nisjes së negociatave midis qeverive gjermane dhe namibiane, sipas New York Times.

"Si një gjest i njohjes së vuajtjeve të pamatshme të shkaktuara viktimave, ne duam të mbështesim Namibinë dhe pasardhësit e viktimave me një program të konsiderueshëm prej 1.1 miliardë eurosh për rindërtimin dhe zhvillimin," tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas të premten .

Gjermania pushtoi Namibinë nga viti 1884 deri në vitin 1915.

Midis 1904 dhe 1908, ushtarët gjermanë vranë dhjetëra mijëra njerëz që ishin pjesë e grupeve etnike Herero dhe Nama, të cilët "filluan rebelimin më të madh - dhe të fundit - kundër okupatorëve që kishin marrë tokat e tyre", sipas Times.

Historianët vlerësojnë se deri në 75% të popullsisë Herero dhe gjysma e popullsive Nama u vranë.

Kombet e Bashkuara dhe historianët i kanë quajtur prej kohësh vrasjet masive si gjenocidin e parë të shekullit 20, sipas Reuters.

Presidenti Namibian Hage Geingob e quajti lëvizjen "historike", por shefi i parë i Herero-s Vekuii Rukoro tha se marrëveshja midis dy qeverive ishte "një fyerje" për shkak të mungesës së dëmshpërblimeve, për Reuters.