Dy të vdekur në Itali nga tornadoja që goditi ishullin Pantelleria

exit.al 12 Shtator 2021, 18:17

Të paktën dy persona u vranë të premten pasi një tornado përfshiu ishullin italian Pantelleria, ndërkohë që nëntë të tjerë u plagosën.

Mes të vdekurve ishin një zjarrfikës jashtë detyrës dhe një burrë 86-vjeçar, që ishin duke udhëtuar me makinë në atë kohë, sipas agjencisë së lajmeve Ansa.

Vorbulla përmbysi makina dhe shkëputi çatitë e banesave, sipas agjencisë italiane të mbrojtjes civile.

Mediat lokale raportojnë se tornadoja ka shkaktuar çarje në një rrugë bregdetare.

Një punonjës emergjencash që foli me agjencinë italiane të lajmeve Ansa e përshkroi skenën si "apokaliptike".

Katër prej të plagosurve mbeten ende në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që të lënduarit u ransferuan në spitalet e Palermos.

Ishulli mesdhetar Pantelleria është i njohur për shkëmbinjtë vullkanikë dhe burimet e nxehta dhe mbahet si destinacion turistik i preferuar për njerëzit e famshëm.

Tornadot zakonisht nuk godasin Evropën, por besohet se disa qindra ndodhin në kontinent çdo vit, por nuk raportohen, pasi bien në zonat e thella rurale.

Në fillim të vitit një tornado goditi Republikën Çeke. duke lënë pesë persona të vrarë dhe 150 të plagosur.