ISHMT: Ashensori i pallatit në Astir nuk është regjistruar

exit.al 12 Shtator 2021, 15:50

Ashensori që u shkëput në një nga pallatet në zonën e Astirit ku mbetën të plagosura 2 gra, nuk ka qenë i regjistruar dhe për pasojë nuk ishte inspektuar.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut thotë në një njoftim në lidhje me ngjarjen se ky anshensor nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar siç parashikon ligji, rjedhimisht duke mos u mirëmbajtur.

ISHMT nënvizon se sipas ligjit banorët e pallatit duhet të zgjedhin një administrator dhe është detyra e këtij të fundit që të kontraktojë një organ të miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për garantuar sigurinë e përdoruesve.

Pak minuta pas mesnate, dy gratë kanë qenë brenda ashensorit kur kavoja e tij është shkëputur dhe është përplasur me fuqi në katin e parë.

Njëra prej të plagosurave është shtatzënë dhe është në gjendje të rëndë në spital.

Policia ka shoqëruar në komisariat administratorin e pallatit dhe përgjegjësin e kompanisë së ashensorëve.