Dy ministri organizojnë ceremoni për të njoftuar se nesër do të ketë ceremoni tjetër

exit.al 15 Shtator 2020, 12:51

Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Turizmit organizuan, të martën, një ceremoni për të njoftuar se të mërkurën do të shpallin fituesin e tenderit për projektimin e tunelit të Llogarasë. Ministrja Balluku njoftoi se janë kualifikuar dy projekt-propozime, mes të cilave juria do të vendosë fituesen. Balluku i kërkoi publikisht jurisë që të ‘vazhdojë punën sa më shpejt’ për të përcaktuar fituesin, të cilin do ta njoftojnë në një tjetër ceremoni, të mërkurën:

“I kërkoj jurisë të vazhdojë punën dhe shpresoj të dilni në rezultate sa më shpejtë. Nesër do të presim me padurim emrin e fituesit  dhe për t’i kërkuar atij që ta dorëzonjë këtë projekt sa më parë dhe për të dizenjuar të dhënat teknike të tij.”

Në ceremoninë për dhënien e njoftimit, mori pjesë dhe ministri i Turizmit Blendi Klosi, i cili deklaroi se ‘tuneli i Llogarasë do të japë mundësinë që të gjitha investimet shqiptare dhe të huaja të ofrojnë një shërbim elitar për zonën e bregdetit.’ Të mërkurën, 16 shtator, pritet të zhvillohet ceremonia për njoftimin e fituesit të tenderit për projektimin. Mbetet për tu parë nëse qeveria do të organizojë një tjetër ceremoni për hapjen e tenderit për ndërtimin e tunelit. Shpërndaje te miqtë