Donald Tusk njofton se do të tërhiqet nga drejtimi i Partisë Popullore Evropiane

exit.al 4 Korrik 2021, 14:31

Ish Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk do të lërë rolin e tij si president i Partisë Popullore Evropiane (PPE).

Lajmin e ka dhënë vetë Tusk të dielën, një ditë pasi njoftoi kthimin e tij në politikën e brendshme si udhëheqës i partisë kryesore të opozitës në Poloni, raporton Reuters.

Tusk, i cili të shtunën u kthye në krye të partisë liberale Platforma Qytetare, ka qenë president i grupimit PPE që nga viti 2019.

Ai tha se bisedimet në lidhje me pasardhësin e tij si president i PPE do të fillonin në vjeshtë.

"Sigurisht zyrtarisht unë mund të jem kryetari i partisë ... dhe i Partisë Popullore Evropiane, e cila bashkon shumë parti Evropiane," u tha Tusk gazetarëve.

"Por siç thashë, qëllimi im është që të përfshihem 100%, jo 90 ose 80%, në punët polake, kështu që unë tashmë kam informuar partnerët e mi, kryeministrat dhe presidentët nga Partia Popullore Evropiane ... që kam marrë një vendim për t'u kthyer në politikën polake ", tha ai.

Pjesë e grupimit PPE për Shqipërinë është Partia Demokratike.