PD ripërsërit thirrjen ndaj SPAK për arrestimin e Erion Veliajt

exit.al 4 Korrik 2021, 13:10

Partia Demokratike ka ripërsëritur thirrjen ndaj SPAK për të arrestuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj të cilin e akuzon si përgjegjës për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Gjykata Kushtetuese vendosi pak ditë më parë se vendimi i qeverisë për kalimin e truallit ku ndodhej godina nga Ministria e Kulturës në Bashkinë e Tiranës ishte anti-kushtetues. Por gjykata la në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës, me arsyetimin se ky vendim nuk është në kompetencat e saj për tu shqyrtuar.

Megjithatë, përfaqësuesi i PD, Çlirim Gjata, tha sot se shfuqizimi i ligjit special dhe VKM-së që i kalon pronësinë Bashkisë Tiranë, “bën nul dhe antikushtetues çdo veprim të kryer nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira”.

“SPAK duhet të marrë gjthashtu nën përgjegjësi penale edhe çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë paligjshmëri, duke filluar nga Edi Rama e deri tek çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës për shembjen kriminale dhe antikombëtare të Teatrit”, deklaroi Gjata.