- Për nisjen e një biznesi, Shqipëria renditet e 45-ta mes 190 vendeve. Për këtë faktor merren parasysh kohëzgjatja dhe pagesat e nevojshme për të hapur një biznes. Nuk shqyrtohen, procedurat për të mbyllur një aktivitet.
- Për lejet e ndërtimit, Shqipëria renditet e 106-ta mes 190 vendeve, njësoj si një vit më parë. Megjithëse, gjatë këtij viti, ndërtimi ka marrë një hov të madh me qindra leje të reja ndërtimi, ky faktor është ndër më keqvlerësuarit nga raporti.
- Për sigurimin e energjisë elektrike, Shqipëria renditet e 157-ta mes 190 vendeve, duke humbur një pozicion krahasuar me një vit më parë. Raporti vlerëson vetëm lehtësinë me të cilën mund të merret një lidhje e re për energjinë dhe jo mbulimin apo pagimin e faturave.
- Për regjistrimin e pasurive, Shqipëria renditet e 103-ta mes 190 vendeve dhe e fundit në rajon. Për këtë tregues merren në shqyrtim procedurat për regjistrimin e pasurive, cilësia e sistemeve të administrimit të tokës, si dhe kostot dhe koha që duhet për transferimin e pronave.
- Për marrjen e kredive, Shqipëria renditet e 42-ta mes 190 vendeve dhe e parafundit në rajon, duke përmirësuar pozitën e saj me dy pozicione, krahasuar më një vit më parë. Raporti vlerëson kuadrin ligjor për transaksionet dhe nëse ligjet për falimentimin apo kolateralin e lehtësojnë apo vështirësojnë procesin e marrjes së kredive nga bizneset.
- Për mbrojtjen e aksionerëve të vegjël, Shqipëria renditet e 20-ta mes 190 vendeve, duke humbur një pozicion krahasuar me një vit më parë. Gjithsesi, ky është treguesi në të cilën Shqipëria ka është vlerësuar më lartë nga të gjithë.
- Për pagimin e taksave, Shqipëria renditet e 125-ta mes 190 vendeve, duke humbur 28 vende krahasuar me një vit më parë. Ky është treguesi ku Shqipëria është vlerësuar më dobët nga të gjithë. Raporti mat numrin e taksave që një biznes duhet të paguajë në vit, procedurat, kohën dhe kostot e përgjithshme. Krahasuar me vitin e kaluar Shqipëria e ka bërë më të lehtë pagesën e taksave duke futur një sistem të ri online, por nuk ka ulur numrin e taksave. Krahasuar me vendet e tjera të raportit, Shqipëria lë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën.
- Për tregtinë ndërkombëtare, Shqipëria renditet e 24-ta mes 190 vendeve, njësoj si një vit më parë. Raporti mat kohën dhe koston për eksportin apo importin e mallrave. Në raport theksohet se Shqipëria e ka vështirësuar këtë proces duke futur skanimin e detyrueshëm, çka rrit kohën dhe kostot e një biznesi.
- Për zbatimin e kontratave, Shqipëria renditet e 120-ta mes 190 vendeve dhe e fundit në rajon, me një diferencë të madhe nga vendi i fundit, Bosnje-Hercegovina në vend të 71-të. Raporti mat kohën dhe koston për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje tregtare përmes një gjykatë e shkallës së parë vendore dhe cilësinë e proceseve gjyqësore.
- Për zgjidhjen e paaftësisë paguese, Shqipëria renditet e 41-ta mes 190 vendeve. Raporti studion kohën, koston dhe kuadrin ligjor të procedurave të falimentimit.
