Dështojnë tenderat e rindërtimit

exit.al 27 Prill 2020, 13:47

Bashkia Tiranë ka anuluar procedurat e tenderimit për studim-projektimet për rindërtimin e tetë shkollave dhe 2 kopshteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Në njoftimin e publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, bashkia jep dy arsye për anulimin e tenderave:

-pjesëmarrjen në tender të më pas se dy ofertuesve,

-mosplotësimin e kritereve nga asnjëra prej kompanive në garë.

Vlera totale e tenderëve ishte rreth 115 mijë euro. Lista e shkollave dhe kopshteve, tenderat e të cilëve janë anuluar janë:
  1. Shkolla e mesme “Sami Frashëri”,
  2. Shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli”,
  3. Shkolla 9-vjecare “Mangull”,
  4. Shkolla 9-vjecare “Pezë e Vogël”,
  5. Ndërtim i shkollës cikli i ulët “Pajan”,
  6. Shkolla 9-vjeçare “Qazim Turdiu”,
  7. Shkolla 9-vjeçare “Murat Toptani”,
  8. Shkolla 9-vjeçare “17-Shkurti”,
  9. Kopshti “Fikas”,
  10. Kopshti “Gurrë”.
Të gjitha këto institucione shkollore u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Në disa prej tyre, bashkia ka nisur punimet për shembjen e godinave ekzistuese, por nuk dihet se cili do të jetë plani i vazhdimit të punimeve. Për rindërtimin e shkollave të dëmtuara, Bashkimi Europian ka dhuruar 15 milionë euro. Këto fonde do të menaxhohen nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në vend. Siç Exit News ka shkruar më parë, i gjithë projekti i ndërtimit dhe rindërtimit të shkollave, me fond rreth 33,4 milionë euro do të zbatohet nga kompani shqiptare edhe pse tenderi për punët ndërtimore ishte teorikisht ndërkombëtar. Ky është grupi i tretë i tenderëve të rindërtimit, të cilët anulohen. Më 13 prill, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) anuloi tenderin e rindërtimit të 2500 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Vlera e tenderit ishte 43 milionë euro. Arsyeja e anulimit ishte e njëjtë me atë të bashkisë: asnjë prej kompanive garuese nuk plotëson kriteret. Më 15 prill, Bashkia Tiranë anuloi tenderin e rindërtimit me vlerë 14 milionë euro të rreth 900 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, sërish me të njëtin arsyetim. Qeveria është zotuar që rreth 4 mijë familje të mbetura pa strehë për shkak të tërmetit, të presin vitin e ri 2021 në shtëpi të reja dhe cilësore. Por anulimi i dy tenderave, që parashikojnë ndërtimin e shumicës së banesave, mund të bëjë që ky premtim të mos mbahet.