Deputetët socialistë bojkotojnë Koço Kokëdhimën

exit.al 9 Nëntor 2015, 11:18

Deputeti socialist i Vlorës, Koço Kokëdhima mblodhi në një takim strukturat drejtuese të PS-së së qarkut Vlorë, por atje munguan deputetët socialist të këtij qarku. Mbledhja, e drejtuar nga koordinatori i Jugut Koço Kokëdhima, kishte në fokus organizimin e partisë  për zgjedhjet e reja dhe shtimin e radhëve të saj me anëtarë të rinj.  Njëri prej deputetëve të PS-së së Vlorës, Fatmir Toçi tha për mediat se nuk ishte ftuar në këtë mbledhje.

Më pas Kokëdhima mblodhi edhe drejtorët e institucioneve kryesore të administratës publike të këtij qarku. Nuk ka njoftim zyrtar për çfarë është diskutuar në këtë mbledhje të deputetit të PS-së, me drejtorët e  administratës publike por burime nga PS thanë se Kokëdhiam ka kërkuar prej tyre të punësojnë socialistët.