Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021.
Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.
Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.
Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.
Deklarata e plotë e Adriana Kalasë, përfaqësuese e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar:Në ditët e vendimit të çështjes së Teatrit, Ambasadori Soreca ka takuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha.
“Takimi nuk është bërë publik. Soreca ka dalë nga dera e pasme e Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të shqetësuar pse Soreca duhet të vijë në ditën e çështjes së Teatrit Kombëtar.
Në kërkesat tona kemi kërkuar të bëhet publike nëse takimi ka qënë i programuar, cili ka qënë objekti i bisedimeve dhe pse takimi ndryshe nga takimet e tjera nuk u bën publik, duke cënuar pavarësinë e drejtësisë, Gjykaës Kushtetiese. Ne kemi kërkuar edhe sekuestrimin e kamerave të GJK”.
