BE hap kufijtë për Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi

exit.al 30 Qershor 2021, 12:26

Bashkimi Evropian do të hapë kufijtë për shtetasit e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, për udhëtimet turistike, në fund të javës së ardhshme.

Ky vendim nënkupton se qytetarët e këtyre vendeve, përfshirë ata që nuk janë të vaksinuar kundër koronavirusit, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së, raporton Radio Evropa e Lirë.

Heqja nga lista e kuqe e udhëtimeve bëhet për shkak të situatës së favorshme epidemiologjike në këto tri shtete. Ndërkaq, para dy jave, në listën me rrezik të ulët nga COVID-19 ishin përfshirë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Pavarësisht se këto shtete largohen nga lista e kuqe e udhëtimeve, qytetarët e këtyre shteteve duhet të respektojnë edhe disa rregulla të tjera kundër pandemisë.

Lehtësimi i kushteve për udhëtim në vendet e Ballkanit Perëndimor vjen pikërisht në kohën kur një numër i madh i qytetarëve me banim në shtetet e BE-së, me prejardhje nga ky rajon, shkojnë në pushime vjetore.