Dekreti i Metës për ligjin e Teatrit Kombëtar diskutohet në komision më 13 shtator

exit.al 28 Gusht 2018, 12:50

Dekreti i Presidentit Meta për ligjin special për Teatrin Kombëtar do të diskutohet më 13 shtator, në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Burime për Exit.al konfirmojnë se diskutimi i dekretit është futur në axhendën e komisionit.

Ligji special i Teatrit Kombëtar, i votuar vetëm me votat e shumicës socialiste më 5 korrik, u kthye nga Presidenti Meta më 27 korrik.

Sipas njoftimit të presidencës, ligji nuk është në përputhje me parimet kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo që ka ratifikuar.

Pas diskutimit në komision, ligji duhet të kalojë për votim në Kuvend dhe miratohet me 71 vota.

Nëse miratohet sërisht, ligji special e kalon tokën publike të Teatrit Kombëtar tek kompania private Fusha shpk, për ndërtimin e teatrit të ri dhe ndërtimin e 6 kullave rreth tij, të cilat do të jenë në pronësi të kompanisë.

Shpërndaje te miqtë