“Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun?
I thashë…
Më thonë që nga gjithë këta që kemi afër ne ti e ke [më afër].
[Agaçi më] tha… hajde të pijmë një kafe... ky muhabet të mërkurë, të enjte...
Tha, kemi këto problemet, e di ti gjithë kjo historia që do kërkohet shtyrja.
Të lutem tha, ti lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori … sot është Niko Peleshi [këtu në Strasburg] ka takim [me Kryetarin e GJEDNJ-së]"
Biba vazhdon:"Ma paguan ata biletën…"
Pastaj, Biba i drejtohet Biankut për ta bindur që të pranojë të ndikojë:“A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç'të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë.”
Exit.al kontaktoi me Ledi Biankun, i cili konfirmoi takimi me Bibën dhe në vija të përgjithshme përmbajtjen e bisedës në regjistrimin audio, që na u dëgua ne në mënyrë anonime me postë elektronike. Bianku, gjithashtu, pohoi për Exit.al se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Bibën, ai informoi në lidhje me këtë ndikim të papërshtatshmë Kryetarin e atëhershëm të GJEDNJ-së Dean Spielmann. Regjistrimi audio tregon si Zëvendës Kryetari i KQZ-së—një zyrtar i lartë i shtetit, i supozuar të jetë i paanshëm—dërgohet në Strasburg nga krahu i djathtë i Kryeministrit Rama, me qëllimin për të ushtruar presion mbi një gjyqtar të GJEDNJ-së për të ndihmuar qeverinë të mohojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë për drejtësi, duke e shantazhuar gjyqtarin se mund të mbetet pa punë pasi të kthehet në Shqipëri pas përfundimit të mandatit. Nëse qeveria Rama ka tentuar të shantazhojë një gjyqtar të gjykatës më të lartë europiane në mënyrë kaq të hapur dhe të shëmtuar, mund të merret me mend se çfarë trysnie ushtron ai mbi gjykatat e vendit, përfshi Gjykatën Kushtetuese. Mund të merret, po ashtu, me mend se çfarë trysnie mund të ushtrojë ai mbi anëtarët e organeve të vetingut për të mbajtur apo përjashtuar nga sistemi i drejtësisë gjyqtarë e prokurorë sipas besnikërisë së tyre ndaj tij. Përpjekja për të korruptuar gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut për t’ju nënshtruar kërkesave të padrejta të saj, tregon se qeveria e Edi Ramës nuk do të ndalet para asgjëje për korruptimin e sistemit gjyqësor, në Shqipëri dhe në Strasburg. Në të vërtetë, qeveria Rama e vazhdoi trysninë ndaj GJEDNJ-së edhe pas përpjekjes së mësipërme—anëtarë të ndryshëm të saj vazhduan të vizitojnë Strasburgun për të ndikuar drejtuesit e GJEDNJ-së. Kështu, më 9 maj 2016, GJEDNJ-në e vizitoi një tjetër delegacion qeveritar i kryesuar nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj për të parashtruar të njejtin qendrim para kryetarit të ri të GJEDNJ-së Guido Raimondi, i cili sapo ishte zgjedhur. Pas kësaj vizite, më 12 maj 2016, Kryeministri Rama deklaroi në mënyrë triumfale në sallën e Kuvendit se “kemi arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut se nuk do ketë më vendime pronash kundër Shqipërisë dhe çështja e pronës u zgjidh.” Nuk është e qartë se mbi çfarë baze e bëri kryeministri Rama këtë deklaratë, por është e qartë se ajo bie ndesh më çdo koncept të drejtësisë e shtetit ligjor dhe shkel të drejtën e qytetarëve shqiptarë për një proces të drejtë ligjor për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Trysnia e ushtruar ndaj gjyqtarit Ledi Bianku hedh, gjithashtu dritë mbi dështimin e njëpasnjëshëm të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të zëvendësuar Biankun, mandati i të cili ka mbaruar zyrtarisht që prej një viti. Si asnjëherë më parë në historinë e Gjykatës së Strasburgut, lista e kandidatëve të dërguar nga qeveria shqiptare është refuzuar tre herë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila shqyrton tre kandidatët e paraqitur nga qeveria për të përzgjedhur njërin prej tyre. Afati i fundit i dorëzimit të listës së rradhës—listës së katërt—ishte 31 gusht 2017, por qeveria e shpalli listën e aplikantëve vetëm para pak javësh dhe arriti ta dërgojë listën e katërt me tre kandidatët e përzgjedhur mes tyre në fund të korrikut 2018, thuajse një vit pas afatit të caktuar. Vlen të theksohet se asnjë nga kandidatët e paraqitur nuk i është nënshtruar vetingut, edhe pse reforma në drejtësi e ka bërë detyrimin kushtetues vetingun ndaj çdo kandidati për gjyqtar. Është e lehtë të merret me mend se pse qeveria ka dështuar dhe është vonuar kaq shumë në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarit shqiptar në GJEDNJ. Kryeministri Rama kërkon me çdo kusht një gjykatës i cili do të bëjë çdo gjë që i kërkohet prej tij, përfshi refuzimin e çështjeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Është në dorë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të mos lejojë që të zgjidhet një gjyqtar i tillë. Shpërndaje te miqtë
