DASH përgëzon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael

exit.al 3 Shkurt 2021, 13:25

Departamenti i Shtetit ka përgëzuar njohjen e Kosovës nga Izraeli. Përmes një postimi në Twitter, DASH e konsideron vendosjen e marrëdhënieve diplomatike si “ditë historike” dhe  që ndihmon në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit për të dyja vendet.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Izraelin dhe Kosovën për zyrtarizmin e marrëdhënieve diplomatike. Dje ishte një ditë historike. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të dy vendet. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme. SHBA-të do të qëndrojnë përkrahë Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik”

Të hënën, Izraeli ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe dy vendet kanë vendosur marrëdhënie diplomatike mes tyre. Kosova ka vendosur të hapë ambasadën e saj në Jeruzalem dhe ambasadorja e parë e Kosovës do të jetë Ines Demiri. I dërguari i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka cilësuar si historike zyrtarizmin e njohjes së Kosovës nga Izraeli. Bashkimi Europian kritikoi vendimin e Kosovës për të hapur ambasadën e saj në Jeruzalem. Edhe Serbia është shprehur e pakënaqur me marrëveshjen Izrael-Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se një akt i tillë “nuk do të ketë ndikim pozitiv në raportet e Serbisë me Izraelin”.   Shpërndaje te miqtë