Çështja Habilaj, ish-zëvendësministrja Gjebrea pritet të dëshmojë sot në Prokurori

exit.al 28 Nëntor 2017, 14:30

Ish-zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea pritet të dëshmojë sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për lidhjen e saj me organizatën kriminale të vëllezërve Habilaj. Kjo mendohet të jetë hera e dytë që Zonja Gjebrea është thirrur nga Prokuroria, edhe pse deputetja socialiste mohoi të ketë dëshmuar javën e kaluar. Zonja Gjebrea dyshohet se ka udhëtuar me ish-Ministrin e Brendshëm Tahiri jashtë Shqipërisë me të njëjtën Audi A8 që Tahiri kishte shitur tek vëllezërit Habilaj. Disa ditë më parë, Opinion.al publikoi dokumentet që tregojnë se burri i deputetes, Arian Hoxha, i cili ka qenë këshilltar i Ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri, kishte gënjyer në formularin e tij të vetëdeklarimit. Hoxha ishte dënuar në vitin 1995 nga Gjykata e Tiranës me 8 muaj dhe 25 ditë burgim për falsifikim dokumentesh. Zoti Hoxha nuk e përmendi këtë vendim në formularin e tij të dekriminalizimit, ç’ka përbën vepër penale. Dje, në një intervistë me Ilva Tare, Elona Gjebrea mohoi të gjitha akuzat kundër saj dhe burrit të saj:

“Në punën time si Zv. Ministre e Punëve të Brendshme, si në çdo detyrë tjetër të kryer e në përmbushje nga ana ime, kam respektuar e respektoj maksimalisht ligjet e shtetit e rregullat më të larta të moralit tonë shoqëror. Përpjekjet për të baltosur politikisht emrin tim e të familjes, marrin shkas nga asgjëja e kundërligjshme në veprimet e mia, mpleksen në mënyrë spekulative  nga çështje penale të telekomanduara, e shiten mediatikisht të transformuara në vërtetësi, për çdo përfitim të kundërshtarëve të mi.

Por ngjizja e një genjeshtre si kjo e shpërndarë në komunikimet e hapura e të fshehura të përfaqësueseve të PD-së, për gjoja lidhje të miat me të dyshuar për vepra të rënda penale siç janë  Habilajt e grupi i tyre, meriton një përgjigje të drejtpërdrejtë e të qartë nga unë. Asgjë s’më lidh me këta e të tjerë subjekte të proceduar brenda apo jashtë vendit”.

Shpërndaje te miqtë